Çfarë është IPA?

IPA qëndron për Instrumentin e Ndihmës Para-Anëtarësuese. Instrumenti për Ndihmë Para-Anëtarësuese është mjeti me të cilin BE-ja mbështet reformat në 'vendet e zgjerimit' me ndihmë financiare dhe teknike. Fondet IPA vazhdojnë ndërtimin e kapaciteteve të vendeve përmes procesit të anëtarësimit, duke rezultuar në zhvillime progresive dhe pozitive në rajon. Për periudhën 2007-2013, IPA kishte buxhet prej rreth 1.5 miliardë euro; pasardhësi i tij, IPA II, do të ndërtojë mbi rezultatet tashmë të arritura duke dedikuar 11.7 miliardë euro për periudhën 2014-2020.

Përfituesit aktualë janë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Islanda, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.

Fondet para-anëtarësuese të BE-së janë investim i shëndoshë në të ardhmen e vendeve të zgjerimit dhe vet BE-së. Ato u ndihmojnë përfituesve të bëjnë reforma politike dhe ekonomike, duke i përgatitur për të drejtat dhe obligimet që vijnë me anëtarësimin në BE. Këto reforma duhet t’u ofrojnë qytetarëve të tyre mundësi më të mira dhe zhvillim të standardeve të njëjta me ato që i gëzojmë ne si qytetarë të BE-së. Fondet para-anëtarësuese gjithashtu ndihmojnë BE-në të arrijë synimet e veta për sa i përket rikuperimit të ekonomisë së qëndrueshme , furnizimit të energjisë, transportit, mjedisit dhe ndryshimit klimatik, etj.

Çfarë është IPA II?

IPA II është vazhdim i IPA (2007 – 2013). I përgatitur në partneritet me përfituesit, IPA II cakton një kornizë të re për ofrimin e ndihmës para-anëtarësuese për periudhën 2014-2020.

Risia më me rëndësi e IPA II është fokusimi strategjik. Dokumentet Strategjike të Vendit janë dokumentet e planifikimit specifik strategjik të bëra për çdo përfitues për periudhën 7-vjeçare. Këto do të parashikojnë pronësinë më të fuqishme të përfituesve, me anë të integrimit të agjencive të veta të për reforma dhe zhvillim. Dokumentet Strategjike të shumë Vendeve do t’i trajtojnë prioritetet për bashkëpunim rajonal ose territorial.

IPA II synon reformat në suaza të kornizës së sektorëve të definuar paraprakisht. Këta sektorë përfshijnë fushat e lidhura ngushtë me strategjinë e zgjerimit, siç është demokracia dhe qeverisja, sundimi i ligjit ose zhvillimi dhe konkurrenca. Kjo qasje e sektorit promovon reformën strukturore që do të ndihmojë transformimin e një sektori të caktuar dhe përputhjen e tij me standardet e BE-së. Programi IPA II lejon lëvizje drejt një ndihme më të synuar, duke siguruar efikasitet, qëndrueshmëri dhe fokus në rezultate.

IPA II gjithashtu mundëson përdorim më sistematik të mbështetjes buxhetore të sektorit. Së fundi, i jep më shumë peshë matjes së performancës: treguesit e dakorduar me përfituesit do të ndihmojnë që të vlerësohet se deri në çfarë shkalle janë arritur rezultatet e parapara.

Më shumë informata mbi IPA II: http://ec.europa.eu/enlargement/instruments/how-does-it-work/index_en.htm

Sa është siguruar përmes fondeve IPA?

IPA hyri në fuqi në fillim të vitit 2007 dhe së shpejti do të sigurojë rreth 11.5 miliardë euro për vendet kandidate dhe potenciale për kandidate në periudhën 2007-2013.
Më poshtë është një tabelë indikative e ndarjes së fondeve IPA (Në miliona euro) për ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, sipas komponentit:

Komponenti IPA 2007 2008 2009 2010 2011 2012 2013
I (Mbështetja e tranzicionit dhe Ndërtimi i Institucioneve) 41,641,613 41,122,001 39,328,499 36,317,068 28,803,410 28,207,479 27,941,228
II (Bashkëpunimi Ndërkufitar) 4,158,387 4,077,999 4,371,501 5,067,526 5,124,876 5,183,373 5,243,041
III (Zhvillimi Rajonal) 7,400,000 12,300,000 20,800,000 29,400,000 39,300,000 42,300,000 51,800,000
IV (Zhvillimi i Resurseve Njerëzore) 3,200,000 6,000,000 7,100,000 8,400,000 8,800,000 10,380,000 11,200,000
V (Zhvillimi Rural) 2,100,000 6,700,000 10,200,000 12,500,000 16,000,000 19,000,000 21,028,000
Gjithsej 58,500,000 70,200,000 81,800,000 91,684,594 98,028,286, 105,070,852 117,212,269

Çfarë sume sigurohet me IPA II?

Për periudhën 2007-2013 IPA kishte buxhet prej rreth 11.5 miliardë euro; pasardhësi i tij IPA II, do të vazhdojë të ndërtojë rezultatet e arritura duke dedikuar 11.7 miliardë euro për periudhën 2014-2020.

Çfarë do të ndodhë me programin IPA pas fillimit të IPA II?

Implementimi i programit IPA 2007-2013 është ende duke u realizuar.
IPA u hartua për të ofruar ndihmë financiare përmes pesë kanaleve (të njohura si "komponente"): ndihmë tranzicioni dhe ndërtim institucional, bashkëpunim ndërkufitar (CBC), zhvillim rajonal, zhvillim të resurseve njerëzore dhe zhvillim rural.

Si funksionon IPA – cilat janë procedurat?

Kriteret e alokimit marrin parasysh kapacitetin e çdo vendi për të shfrytëzuar dhe menaxhuar fondet, si dhe respektimin për kushtet e anëtarësimit.

Për vendet që janë më të avancuara në këtë proces, është i mundur decentralizimi ose alokimi gradual i menaxhimit të fondeve. Kjo e bën implementimin e ndihmës më fleksibil.
Financimi ndahet në pajtim me rotacionin tre-vjeçar të të kornizës shumëvjeçare indikative financiare në lidhje me kornizën e politikës së zgjerimit, e cila siguron informata për synimet e Komisionit sipas vendit dhe sipas komponentit.

Në bazë të kësaj, përgatiten dokumentet shumëvjeçare të planifikimit indikativ për çdo vend. Një dokument plotësues përgatitet për programin multi-vendor. Dokumentet përmbajnë objektivat specifike të Komisionit dhe preferencat për ndihmën para-anëtarësuese. Ato rishikohen dhe azhurnohen çdo vjet. Financimi mund të sigurohet në forma të ndryshme:

  • Investimi në infrastrukturë, pajisje ose zhvillim të bizneseve (p.sh. përmes prokurimin e kontratave ose ndarjen e subvencioneve)
  • Bashkëpunimi administrativ, ku përfshihen ekspertë të dërguar nga Shtetet Anëtare të BE-së (p.sh. përmes tuining)
  • Veprimet e zbatuara drejtpërsëdrejti nga organet e BE-së, në interes të vendit përfitues
  • Përkrahje për procesin e implementimit dhe menaxhimin e programit
  • Përkrahja buxhetore (jepet vetëm me përjashtime)

Pjesëmarrja në dhënien e kontratave të prokurimit ose granteve është e hapur për:

  • të gjithë shtetasit e Shteteve Anëtare
  • personat juridikë të themeluar në Shtetet Anëtare të BE-së ose në Zonën Ekonomike Evropiane (EEA), ose një një vend që është përfitues i programit IPA, ose Instrumenti Evropian i Fqinjësisë dhe Partneritetit
  • oprganizatat ndërkombëtare

Ku mund të gjej informata mbi Thirrjet për Propozim të programit IPA?

Çfarë është Programi për Bashkëpunim Ndërkufitar?

Programi për Bashkëpunim Ndërkufitar është pjesë e ndihmës (Komponenti II) dhe përkrah aktivitetet e bashkëpunimit ndërkufitar mes ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe shteteve anëtare të BE-së, si dhe me vendet potenciale kandidate, d.m.th. Shqipërinë. Gjithashtu i ndihmon vendit të marrë pjesë në Programin transnacional të Bashkëpunimit Territorial Evropian për 'Evropën Juglindore'.

Programet e bashkëpunimit ndërkufitar janë hapur me Bullgarinë, Greqinë dhe Shqipërinë. Për programet dhe shembujt e veçantë, mund të lexoni më shumë në linket më poshtë:

http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/the_former_yugoslav_republic_of_macedonia/ipa/cbc_cross_border_programme_en.pdf

http://www.sep.gov.mk/Default.aspx?ContentID=79

Çfarë është EIDHR?

Kjo shkurticë qëndron për Instrumentin Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut. Bashkimi Evropian, përmes EIDHR, përkrah mbrojtësit e të drejtave të njeriut kundër represionit dhe përdorimit arbitrar të pushtetit, dhe ka për qëllim të nxisë dhe përkrahë të drejtat e njeriut dhe demokracinë në mbarë botën. Ky instrument ka për qëllim gjithashtu edhe të riforcojë aktivitetet e veta për dokumentimin e e shkeljeve dhe mbështetjen e Procedurave Speciale të Kombeve të Bashkuara.

Thirrjet për propozime për këtë instrument mund t’i gjeni në linkun e mëposhtëm:

http://www.eidhr.eu/whatis-eidhr

Si mund të aplikoni për një bursë Erasmus MUNDUS?

Studentët duhet të aplikojnë drejtpërsëdrejti në konsorciumet Erasmus Mundus Master, të cilat ofrojnë kursin e tyre të preferuar (Kontrolloni listën e Kurseve në dispozicion Erasmus Mundus Master në ueb faqen Europa). Edhepse aplikantët mund të konkurrojnë në cilindo nga Kurset e Masterit të zgjedhura në kuadër të programit Erasmus Mundus, numri i aplikimeve duhet të kufizohet në një maksimum prej tre kurse Erasmus Mundus Master.

Konsorciumi i informon studentët e interesuar në lidhje me kushtet e veçanta të pranimit (p.sh. rezultatet e studimit, aftësitë gjuhësore, etj.) dhe afatet e aplikimit. Çdo kurs ka kushte të veçanta të aplikimit dhe të pranimit si dhe formularët dhe afatet e aplikimit.

A mbështet BE-ja bujqit individualë në vendin tonë?

Po. Bujqit kanë të drejtë për ndihmën para-anëtarësuese financiare për bujqësi të qëndrueshme dhe zhvillim rural.

Përfituesit:
Kooperativat bujqësore dhe personat juridikë të angazhuar në aktivitete bujqësore (NVM-të) të cilat plotësojnë standardet minimale që kanë të bëjnë me aktivitetin për të cilin aplikojnë, dhe të cilat prezantojnë qëndrueshmëri të shtuar ekonomike në përmbylljen e investimit. Mbështetja i referohet investimit në fushën e prodhimit të verës (vetëm në pjesën e finalizimit), përpunimin e pemëve dhe perimeve, prodhimi i qumështit dhe prodhimeve të qumështit dhe në thertore.

Masa e zgjerimit të aktiviteteve ekonomike në mjediset rurale është e hapur për fermat individuale dhe mikro ndërmarrjet që plotësojnë standardet minimale nacionale në kontekstin e aktivitetit për të cilin aplikojnë, dhe të prezantojnë qëndrueshmëri të shtuar ekonomike në momentin e përfundimit të investimit. Mbështetja i referohet investimeve në fushën e turizmit rural, kapaciteteve të përpunimit në fermat e vogla për produkte tradicionale, artizanatit dhe shërbimeve të lidhura me bujqësinë dhe popullatën rurale.

Institucioni nacional përgjegjës për implementimin e këtij fondi IPA për Zhvillim Rural është Agjencia për Ndihmë Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural:

Ku mund të aplikoni për fondet për bujqësi?

Dokumentet duhet të dorëzohen në Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillimin Rural:

Adresa:
  Blvd: "Treta Makedonska Brigada" 20 
Makedonija Tabak building, bllok C 
1000 Shkup
Republika e Maqedonisë
Telefon/Fax:   389 (0) 2 3097 460 / +389 (0) 2 3097 454
E-mail:   ipardpa.info@ipardpa.gov.mk

A mbështet BE-ja hulumtuesit në vendin tonë?

Absolutisht po! Hulumtuesit janë të mbështetur me anë të programeve FP7 dhe CIP.

FP7 (Programi i Shtatë Kornizë për Hulumtim dhe Zhvillim Teknologjik) është instrumenti kryesor i BE-së për financimin e hulumtimit në Evropë.

Programi përfshin nëntë fusha të veçanta dhe persona nacionalë për kontakt janë paraparë për secilën fushë. Nëntë fushat e përfshira në program janë si vijon:

1. Shëndetësia
2. Ushqimi, bujqësia dhe bioteknologjia
3. Teknologjitë e informimit dhe komunikimit
4. Nano shkenca, nano teknologjia, materialet dhe teknologjitë e reja të prodhimit
5. Energjia
6. Ndryshimet e mjedisit dhe të klimës
7. Transporti dhe aeronautika
8. Shkencat socio-ekonomike dhe shkencat humanitare
9. Horizonti dhe siguria

IPërveç këtyre fushave, Programi Kornizë Euroatom përfshin dy fusha plotësuese:

1. Hulumtimet mbi Përzierjen (Fusionin) e Energjisë
2. Mbrojtja nga zbërthimet nukleare dhe nga rrezatimi

Ministria për Arsim dhe Shkencë është institucion nacional partner, përgjegjës për implementimin dhe koordinimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me programin.

CIP (Programi Kornizë për Konkurrencë dhe Inovacion) mbështet përforcimin e kapacitetit të konkurrencës dhe inovacionit në Bashkimin Evropian. Veçanërisht inkurajon përdorimin e teknologjive të informimit, teknologjitë e mjedisit dhe burimet e energjisë ripërtëritëse.
Programi përbëhet nga tre nënprograme:

1. Programi Kornizë për Ndërmarrësi dhe Inovacion
2. Programi për Mbështetje të Politikës Teknologjike
3. Programi Evropian për Energji Inteligjente

Ministria e Ekonomisë është institucion nacional partner, përgjegjës për implementimin dhe koordinimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me programin.

A mbështet BE-ja bizneset në vendin tonë?

A ka një program për shkollat?

Po. Programi Comenius përqëndrohet në të gjitha nivelet e arsimit shkollor, duke filluar nga institucionet parashkollore deri në shkollat fillore dhe të mesme. Ky program ka të bëjë me të gjithë që përfshihen në edukimin shkollor: kryesisht nxënës dhe mësimdhënës, por edhe autoritete lokale, përfaqësues të shoqatave prindore, organizata joqeveritare, institute të trajnimit të mësimdhënësve dhe universitete.

Agjencia Nacionale për Programe Evropiane Arsimore dhe Mobilitet është institucioni nacional partner për këtë program.

A i përkrah BE-ja të rinjtë?

Po. Rinia në Veprim është Program i BE-së për të rinjtë e moshës 15-28 (në disa raste 13-30). Ky program ka për qëllim të frymëzojë një ndjenjë të qytetarisë aktive, solidaritet dhe tolerancë mes evropianëve të rinj dhe të përfshijë ata në formësimin e të ardhmes së Unionit.

Rinia në Veprim është program për të gjithë! Është program që nxit mobilitetin përbrenda dhe jashtë kufijve të BE-së, nxënien/mësimin joformal dhe dialogun ndërkulturor, si dhe inkurajon përfshirjen e të gjithë të rinjve, pa marrë parasysh formimin e tyre arsimor, social dhe kulturor.

Agjencia Nacionale për Programe Evropiane Arsimore dhe Mobilitet është institucioni nacional partner për këtë program.

A ofron BE-ja mbështetje për arsimin dhe trajnimin e të rriturve?

Po. Kjo përfshihet me programet Leonardo da Vinci dhe Grundtvig programmes.

Programi Leonardo da Vinci financon projektet praktike në fushën e arsimit dhe trajnimit profesional. Iniciativat janë të ndryshme duke filluar nga trajnimet e individëve jashtë vendit, në aktivitete të lidhura me punën e deri te përpjekjet e bashkëpunimit në nivel të lartë.

Si pjesë e Programit të Komisionit Evropian për Mësim të Përjetshëm,, ky program financon shumë lloje të aktivitetetve në shkallë të ndryshme. Këto përfshijnë iniciativa të 'mobilitetit', të cilat u mundësojnë njerëzve të trajnohen në vende të tjera, projekte bashkëpunimi për të transferuar ose zhvilluar përvoja inovative, dhe rrjete që fokusohen në tema aktuale në sektor.

Njerëzit që mund të përfitojnë nga gama e programeve janë stazhistë fillestarë profesionalë, njerëz të diplomuar, si dhe ekspertë VET dhe të gjithë njerëzit e organizatave aktive në këtë fushë.

Programi Grundtvig përqëndrohet në nevojat e mësimdhënies dhe mësimit të nxënësve së shkojnë në kurse arsimore për të rritur dhe edukim 'alternativ', si dhe organizatat që ofrojnë këto shërbime. Ka për qëllim të zhvillojë sektorin e arsimit për të rritur, si dhe t’u mundësojë sa më shumë njerëzve të kenë përvojë mësimore, sidomos në vende të tjera të Evropës.

I filluar në vitin 2000, programi Grundtvig synon t’u ofrojë të rriturve më shumë mënyra për të përmirësuar njohurinë dhe shkathtësitë e tyre, për të lehtësuar zhvillimin e tyre personal dhe për të përmirësuar perspektivat e tyre të punësimit. Programi gjithashtu ndihmon në trajtimin e problemeve që kanë të bëjnë me popullatën e plakur të Evropës.

Programi nuk përfshin vetëm mësimdhënësit, trajnuesit, stafin dhe organizatat që punojnë në këtë sektor, por edhe nxënësit në arsimin e të rriturve. Këtu përfshihen shoqata relevante, organizata këshilluese, shërbime informative, organe politikëbërëse dhe të tjerë si OJQ-të, ndërmarrjet, grupet vullnetare dhe qendrat e hulumtumit.

Programi financon shumë aktivitete, sidomos ato që mbështesin stafin e arsimit për të rritur, të udhëtojnë jashtë për shkëmbim dhe përvoja të tjera profesionale. Iniciativa të tjera të nivelit të lartë përfshijnë, për shembull, rrjetëzimin dhe partneritetet mes organizatave në vende të ndryshme.

Agjencia Nacionale për Programe Evropiane Arsimore dhe Mobilitet është institucioni nacional partner për këtë program.

A mund të paraqiteni vullnetar në ndonjë vend të BE-së?

Sigurisht që po Shërbimi Evropian për Vullnetarë (EVS) u ofron evropianëve të rinj mundësi unike për të shprehur përkushtimin e tyre personal përmes aktiviteteve vullnetare me orar të plotë dhe pa pagesë jashtë vendit, përbrenda dhe jashtë BE-së. Në këtë mënyrë, zhvillon solidaritetin, mirëkuptimin reciprok dhe tolerancën mes të rinjve, duke dhënë kontribut në përforcimin e kohezionit social në Bashkimin Evropian dhe duke nxitur qytetarinë aktive të të rinjve.

Agjencia Nacionale për Programe Evropiane Arsimore dhe Mobilitet është institucioni nacional partner për këtë program.

A mund të udhëtoni në vendet e BE-së pa vizë?

Po. Duke filluar nga 19 dhjetori 2009, qytetarët e vendit tonë nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në 25 Shtete Anëtare të BE-së dhe tre vende që nuk janë anëtare të BE-së por, të cilat janë pjesë e zonës Shengen.

Qytetarët që kanë pasaporta biometrike, tani mund të udhëtojnë lirisht për vizita të shkurta në këto vende deri në 90 ditë, çdo gjashtë muaj, qoftë për biznes, studime ose për qëllime turistike.

Sa kohë mund të qëndroni në zonën Shengen?

Udhëtarët e vendit tonë mund të mbeten në zonën Shengen (të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së përveç Britanisë së Madhe dhe Irlandës, dhe në shtetet e asocuara me zonën Shengen: Zvicra, Norvegjia dhe Islanda) për nëj periudhë maksimale 90 ditëshe, nga data e hyrjes – gjatë periudhës gjashtë mujore (180 ditë). Periudha fillon kur hyni në territorin Shengen për herë të parë në periudhën gjashtë mujore.

Për shembull, nëse për herë të parë hyni në zzonën Shengen më 1 shkurt, periudha e ardhshme gjashtë mujore fillon më 1 gusht. Nëse udhëtoni shpesh në zonën Shengen, duhet të mbani përgjegjësinë e numërimit të ditëve që ju kanë mbetur për qëndrim në periudhën gjashtë mujore. Prandaj, mund të realizoni disa udhëtime të shkurta, me kusht që të gjitha ato të mos tejkalojnë kohëzgjatjen 90 ditëshe në periudhën gjashtë mujore.

A nënkupton liberalizimi i vizave se mund të jetoni dhe punoni në vendet Shengen?

Jo. Rregullat e reja vlejnë vetëm për udhëtim. Ato nuk u japin qytetarëve të drejtën të qëndrojnë më shumë se tre muaj ose të punojnë në vendet e lartëpërmendura.

Nëse keni ndërmend të qëndroni më gjatë se tre muaj, për të punuar ose për të studiuar më gjatë se 90 ditë, atëherë para udhëtimit duhet të aplikoni për vizë afatgjate, leje qëndrimi ose leje pune në Ambasadën apo Konzullatin e vendit të destinacionit. Të punosh apo të jetosh në zonën Shengen pa lejen relevante nacionale të qëndrimit ose të punës është e paligjshme.

A ekzistojnë kërkesa të tjera për hyrje në zonën Shengen?

Për të udhëtuar lirshëm në vendet e Shengenit, nuk ekzistojnë kërkesa plotësuese financiare ose administrative për personat që kanë pasaporta biometrike. Megjithatë, për të gjithë shtetasit e vendeve të treta, të cilët udhëtojnë në zonën Shengen, vlejnë kushtet e zakonshme të hyrjes.

Prandaj, në kufi, mund të jetë e nevojshme që udhëtarët të tregojnë mjetet e udhëtimit dhe mjetet e ekzistencës gjatë qëndrimit të tyre në zonën Shengen. Mund të kërkohet gjithashtu që udhëtarët të përcaktojnë vendin ku do të qëndrojnë (p.sh. të tregojnë rezervacion të hotelit ose adresë ku do të vendosen). Përveç kësaj, personat që udhëtojnë nuk duhet të konsiderohen si kërcënim për rendin publik, shëndetin publik ose sigurinë e brendshme dhe nuk duhet të jenë persona për të cilët është lëshuar ndonjë alarm për refuzim të hyrjes në këtë zonë.

Autoritetet kufitare të Shteteve Anëtare kanë të drejtën të refuzojnë hyrjen, nëse këto kërkesa nuk plotësohen, dhe mbajnë të drejtën e vendimit përfundimtar për hyrje (Neni 5 i Konventës së Shengenit). Një procedurë e veçantë vlen në kufirin me Greqinë. Autoritete e Greqisë nuk do të vënë vula të hyrjes apo daljes në pasaporta. Në vend të kësaj, autoritete greke do të vazhdojnë të vulosin një fletë të veçantë e cila do t’i jepet udhëtarit.

Çfarë është Karta Blu e BE-së?

Karta Blu e BE-së është përgjigja e Evropës ndaj Kartës së Gjelbër të SHBA-së. Skema e Kartës Blu e BE-së është e krijuar për ta bërë Evropën destinacion më atraktiv për persona me arsim më të lartë jashtë Bashkimit Evropian. Të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përveç Britanisë së Madhe, Danimarkës dhe Irlandës, janë pjesë të skemës së Kartës Blu të BE-së .

Kushte

Për kërkesë për kartën Blu të BE-së, duhet ti plotësoni këto kushte:

  • Mos të jenë nënshtetas i BE-së
  • Të posedoni arsim të lartë
  • Të keni kontratë të vlefshme, ose ofertë për punë në BE

Për më shumë informacione vizitoni:
http://www.apply.eu/

A mund të punoj në BE?

Liria për tu shpërngul në ndonjë vend tjetër të BE-së dhe për të punuar aty pa leje për punë është e drejtë e nënshtetasve të BE-së.

Personat që nuk janë nënshtetas të BE-së mund të punojnë në BE ose të trajtohen në mënyrë të barabartë me nënshtetasit e BE-së në bazë të kushteve për punë. Këto të drejta varen nga statusi i tyre si anëtarë të familjes të nënshtetasve të BE-së dhe në bazë të nënshtetësisë së tyre.

Nënshtetasit e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë që punojnë në mënyrë të ligjshme në Bashkimin Evropian, i gëzojnë kushtet e njëjta për punë si edhe nënshtetasit e shtetit nikoqir:

Për më shumë informacione vizitoni:
http://ec.europa.eu/social/main.jsp?catId=470

Shikoni gjithashtu pyetjen “Çfarë është Karta Blu e BE-së”” në këtë seksion.

Kush mund të anëtarësohet në BE?

Traktati mbi Bashkimin Evropian thotë se çdo vend i Evropës mund të aplikojë për anëtarësim, nëse i respekton vlerat demokratike të BE-së dhe angazhohet për promovimin e tyre.

Të gjitha vendet që kanë aspirata anëtarësimi, fillimisht duhet të plotësojnë kriteret kryesore të anëtarësimit. Këto janë definuar në Këshillin Evropian të Kopenhagës në vitin 1993 dhe prandaj u referohet me termin 'kriteret e Kopenhagës'. Vendet që dëshirojnë të anëtarësohen, duhet të kenë:

  • Institucione stabile që garantojnë demokraci, sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe respektim dhe mbrojtje të pakicave
  • Ekonomi funksionale të tregut dhe kapacitet për t’u përballur me konkurrencën dhe fuqitë e tregut në BE
  • Aftësinë për të marrë dhe zbatuar në mënyrë efektive detyrimet e anëtarësimit, duke përfshirë përkushtimin për qëllime të një unioni politik, ekonomik dhe monetar

BE-ja mban të drejtën për të vendosur kohën kur vendet kandidate të BE-së mund të anëtarësohen. BE-ja gjithashtu duhet të jetë në gjendje të integrojë anëtarë të rinj.

Cila është procedura e anëtarësimit në BE?

Procesi i bashkimit në BE (anëtarësimi) përgjithësisht përbëhet nga 3 faza:

1. Kur një vend është gati, ai bëhet kandidat zyrtar për anëtarësim – por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se janë hapur negociatat zyrtare.

2. Kandidati vazhdon drejt negociatave zyrtare të anëtarësimit, një proces ky që përfshin miratimin e ligjit të themeluar të BE-së, përgatitjet e nevojshme për përdorimin dhe zbatimin e duhur të këtij ligji, si dhe zbatimin e reformave gjyqësore, administrative, ekonomike dhe refroma të tjera, të cilat i duhen vendit që të përmbushë kushtet për t’u anëtarësuar - të njohura si kriteret e pranimit.

3. Kur negociatat dhe reformat shoqëruese të kenë përfunduar në mënyrë të kënaqshme për të dy palët, vendi mund të anëtarësohet në BE.

Çfarë janë në realitet negociatat e anëtarësimit?

Negociatat e anëtarësimit nuk mund të fillojnë para se të pajtohen të gjitha qeveritë e BE-së, në formë të një vendimi unanim të Këshillit të BE-së, në një kornizë ose mandat për negociata me vendin kandidat.

Negociatat bëhen mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat për anëtarësim, në takimin e njohur si konferencë ndërqeveritare.

Negociatat për çdo kapitull bazohen në elementet e mëposhtme:

1. Skrining –Komisioni kryen një kontroll të detajuar, së bashku me vendin kandidat, të të gjitha fushave të veçanta politike (kapituj), që të përcaktojë nëse vendi është i përgatitur mirë. Konkluzat sipas kapitullit u prezantohen Shteteve Anëtare nga Komisioni, në formë të një raporti skrining. Përfundimi i këtij raporti është në formë të rekomandimit të Komisionit, qoftë për hapjen e negociatave drejtpërsëdrejti, qoftë për të plotësuar paraprakisht disa kushte të caktuara – standarde të hapjes.

2. Pozitat negociuese – para se të fillojnë negociatat, vendi kandiat duhet të paraqesë qëndrimin e vet dhe BE-ja duhet të miratojë qëndrim të përbashkët. Për shumicën e kapitujve, BE-ja vendos standardet e mbylljes në pozitën që Vendi Kandiadat duhet ta plotësojë para mbylljes së negociatave në fushën për politikën e caktuar. Për kapitujt 23 dhe 24, Komisioni propozon që në të ardhmen, këta kapituj të hapen në bazë të planeve të veprimit, me standarde të përkohshme që duhet të plotësohen para përcaktimit të standardeve të mbylljes.

TRitmi i negociatave atëherë, varet nga shpejtësia e reformave dhe harmonizimi i ligjeve të BE-së me çdo vend. Kohëzgjatja e negociatave mund të jetë e ndryshme – fillimi i negociatave në të njejtën kohë me ato të një vendi tjetër nuk është garancë se negociatat do të mbyllen në të njejtën kohë.

Përfundimi i negociatave

Asnjë negociatë lidhur me kapitujt e veçantë nuk mund të mbyllet deri sa të gjitha qeveritë e BE-së të jenë të kënaqura me progresin e vendit kandidat në atë fushë të politikës, siç është analizuar nga Komisioni. Për më tepër, i gjithë procesi i bisedimit përfundohet definitivisht vetëm pas mbylljes së të gjithë kapitujve.

1. Traktati i anëtarësimit

Ky është dokumenti që përforcon anëtarësimin e vendit në BE. Ky dokument përmban afatet dhe kushtet e detajuara të anëtarësimit, të gjitha marrëveshjet kalimtare, si dhe detajet e marrëveshjeve financiare dhe ndonjë klauzolë mbrojtëse.

Nuk është përfundimtar dhe detyrues deri në momëntin kur:

  • fiton mbështetjen e Këshillit të BE-së, Komisionit dhe Parlamentit Evropian
  • nënshkruhet nga vendi kandidat dhe përfaqësuesit e të gjitha vendeve të BE-së
  • ratifikohet nga vendi kandidat dhe çdo vend i BE-së individualisht, sipas rregullave të tyre kushtetuese (votimi parlamentar, referendumi, etj.)

2. Vendi aderimi

Mirëpo, pas nënshkrimit të marrëveshjes, kandidati bëhet vend aderimi. Kjo do të thotë se pritet të bëhet anëtar i plotë i BE-së, në datën e përcaktuar në traktat, me kusht që traktati të jetë ratifikuar.

Në ndërkohë, ai vend përfiton nga marrëveshjet e veçanta, siç janë komentet mbi projekt-propozimet e BE-së, komunikatat, rekomandimet ose iniciativat dhe "statusi i mbikqyrësit aktiv" në organet dhe agjencitë e BE-së (ka të drejtën e fjalës por nuk ka të drejtë të votojë).

Cilat vende janë Shtete Anëtare të BE-së?

Kush u anëtarësua dhe kur?

Fillimisht, organizata që tani njihet si Bashkimi Evropian, përbëhej nga gjashtë anëtarë: Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Luksemburgu dhe Holanda. Danimarka, Irlanda dhe Britania e Madhe u anëtarësuan në vitin 1973. Greqia u anëtarësua në vitin 1981, e pasuar nga Spanja dhe Portugalia në vitin 1986, dhe Austria, Finlanda dhe Suedia në vitin 1995.

Në vitin 2004, në zgjerimin më të madh të BE-së të të gjitha kohërave, Qiproja, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia u bënë Shtete Anëtare.

Në janar të vitit 2007, u anëtarësuan Bullgaria dhe Rumania, kështu numri i anëtarëve të BE-së u rrit në 27.

Kalendari i ngjarjeve

 Linke